Brunilda Bardhi, mjeke dermatologe ngre shqetësimin se trajtimi i thonjve me xhel mund të shkaktojë probleme serioze, madje dhe kancer. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ajo tregon problemet serioze që mund të na shfaqen si pasojë e trajtimit të thonjve me xhel apo kimikate të tjera si këto.
Ajo rrëfen se në Shqipëri nuk është kryer ndonjë studim në lidhje me këtë çështje dhe se nuk ka ndonjë kontroll specifik nëpër sallonet ku ofrohet ky shërbim. Ndërsa në vendet evropiane dhe sidomos në SHBA, kjo temë është ndër më të trajtuarat në revistat mjekësore dermatologjike. Sipas dermatologes, çdo manikyr i mbetur në vend për një periudhë të gjatë nuk është një ide e mirë, sepse ju nuk e dini apo shihni atë që po ndodh nën manikyrin e thonjve.
Kur ata janë afatgjatë mund të fshehin probleme të thonjve, të tilla si një infeksion në lëkurë ose tumore. Ky izolim mund të vonojë diagnozën dhe të vështirësojë kurimin. Mjekja sugjeron që për të mirën e tyre femrat duhet t’i bëjnë thonjtë me xhel për raste të veçanta në mënyrë që të ulin pasojat e "traumave kimike". Një tjetër efekt anësor i padëshiruar i ekspozimit ndaj llambave UV (ultra violet) është plakja e lëkurës, që do të thotë se në kërkim të thonjve të bukur të fitoni duar të rrudhosura. Çdo shtresë e vendosur xheli thahet duke përdorur dritën UV.
Ekspertët thonë se kjo mund të ketë efekte anësore të rrezikshme. Gratë që bëjnë shpesh manikyr xhel, duhet të marrin parasysh rrezikun e kancerit të lëkurës. Dermatologia këshillon femrat që për të ulur disi dëmtimin nga rrezet UV të përdorin pa kursim kremin me filtër mbrojtës të lartë ndaj rrezeve në duart e tyre, para se të bëjnë një manikyr xhel.
Disa studime mbështesin teorinë se sasia e energjisë nga një llambë UV gjatë një shërbimi të thonjve është përafërsisht e barabartë me shumën e ekspozimit të rrezeve UV që përjetohet gjatë gjithë ditës. Nga përvoja e saj personale në fushën e dermatologjisë, ajo thotë se përdoruesit e shpeshtë të manikyrit xhel për një kohë të gjatë shfaqin probleme. Thonjtë e tyre fillojnë të zhvishen dhe të thyhen duke qenë më të hollë se më parë. Ajo tregon se gjatë një studimi të bërë në SHBA u gjet se thonjtë ishin në njëfarë mase më të hollë edhe pasi kishin bërë vetëm një trajtim të tillë. Por, u shtua se ishte e paqartë nëse brishtësia e thoit është shkaktuar nga kimikatet në përbërësit e xhelit apo nga acetoni. Lëngu i quajtur aceton përdoret për të prishur lidhjet kimike të xhelit. Ai bën shumë tharje dhe mund të irritojë lëkurën përreth thonjve.
Problemet që shkaktojnë produktet kozmetike te thonjtë
Mjekja dermatologe Bardhi tregon se bashkë me bukurinë që sjellin produktet kozmetike të thonjve, mund të sjellin dhe probleme të padëshirueshme duke filluar nga alergjitë, infeksionet fungale (mykotike), ato bakteriale të thonjve dhe indeve përreth tyre. Studimet kanë treguar se nën manikyrin e thonjve të copëtuar mund të rriten mikroorganizma. Studime të shumta kanë vërtetuar se personat me thonj artificialë kanë një numër të madh bakteresh të kultivuara në majat e gishtave, madje edhe poshtë thonjve. Bordet Shtetërore të Kosmetologjisë raportojnë se rritja fungale ndodh më shpesh në thonjtë artificialë, sesa në ata natyralë.
Personat me një infeksion kronik fungal (kërpudhor) të thonjve ankohen se thonjtë u janë bërë të trashë dhe të zbardhur, apo se një ose më shumë pllaka të thoit kanë filluar të shkëputen nga lëkura. Një pacient i paraqitur me një infeksion akut bakterial mund të ketë eritemë dhe dhimbje poshtë thoit. Infeksionet në thua, ose rreth tij mund të shkaktohen nga organizmat bakteriale, fungale apo virale, të krijuara në mënyrë tipike nga përdorimi i pajisjeve të kontaminuara që kanë kontakt me lëkurën dhe thonjtë gjatë një procedure. Prandaj kërkohet vëmendje që pajisjet duhet të pastrohen në mënyrë adekuate. Këto ndodhin kur personi që punon thonjtë është papërvojë, ose i pakujdesshëm. Shumica e shteteve tani kërkojnë licencimin e salloneve për manikyristët dhe kanë krijuar udhëzime të veçanta, të tilla si kite me një përdorim të instrumenteve, në mënyrë që të rritet kujdesi ndaj klientëve të këtij shërbimi.
Kujdesi që duhet treguar gjatë përdorimit të manikyrit me xhel
Gjatë zbukurimit apo heqjes së kutikules (lëkurës rreth thonjve), ose heqjes se kallove mund të ketë gjakderdhje apo zbulim të madh të lëkurës dhe të indeve përreth thoit. Prandaj është i rëndësishëm sterilizimi i instrumenteve që trajtojnë thonjtë. Në rast pakujdesie ekziston mundësia për transmetimin e patogjenëve të gjakut nga klienti në klient. Ndërsa, në teori patogjenet e transmetimit të hepatitit B dhe C kanë shumë të ngjarë të përcillen me anë të këtyre mjeteve. Infeksionet bakteriale nga patogjene të zakonshme të lëkurës, përkatësisht Staphylococcus dhe Streptococcus, mund të krijohen edhe nga lëkura e dëmtuar, ose plagosja e lehtë e indeve gjatë një manikyri apo pedikyri. Këto infeksione zakonisht vetëkufizohen dhe mund të kërkojnë vetëm kujdes lokal, por në disa raste, veçanërisht në pacientët me diabet apo me imunitet të ulët, mund të shkaktojë infeksione të rënda. Incidenca e infeksioneve të thonjve të këmbës është 4 herë më e lartë se ajo e infeksioneve tek thonjtë e duarve.
Thonjtë me xhel, një varësi për femrat
Geraldina Kabashi dhe Luciana Agolli kanë një eksperiencë gati 5 vjeçare në trajtimin e thonjve me xhel dhe secila prej tyre tregon për “Shekullin” shijet e klienteve që vijnë në sallonet përkatëse. Thonjtë me xhel janë një ndër shpikjet e viteve të fundit, për të cilat femrat janë gëzuar shumë. Ata janë praktikë, të bukur dhe zgjatin të paktën dy javë. Duke qenë kaq afatgjatë këta thonj u kanë kursyer kohë vajzave, pasi për 2-3 javë ato kanë duar perfekte, që duken bukur në çdo moment. Teknikat e trajtimit të thonjve janë të ndryshme dhe variojnë sipas individit. Për të sjellë një panoramë mbi shijet e femrave në kryeqytet, ne hodhëm një vështrim në disa prej salloneve të thonjve. Sipas Geraldinës dhe Lucianës, ajo që preferohet më shumë nga femrat është punimi me xhel. Muajt e fundit ka nisur një tendencë e re, ku preferohet më shumë një punim më i thjeshtë që quhet gelish. Kjo teknikë është një shtresë e hollë manikyri që aplikohet në thua, thahet në furrë dhe mund të jetë rezistent për 3-4 javë.
Dizenjot e preferuara për thonjtë janë të shumëllojshme dhe variojnë sipas moshave dhe stinës. “Duke hulumtuar në internet femrat vijnë me një ide të qartë në sallon dhe kërkojnë modele të mirëpërcaktuara”, - tha Luciana. Ndërsa Geraldina thotë se dizenjot më të preferuara në sallonin e saj, variojnë nga tribalet shumëngjyrëshe, te modelet e ndikuara nga vitet ’70. Më të kërkuara janë dizenjot 3D me nuse pashke, breshka dhe forma të tjera si këto. Idetë janë nga më të ndryshmet, të thjeshta dhe ekstravagante. “Të punosh me thonjtë përveçse profesionalizëm kërkon dhe shpirt artistik, sepse duhet të dish të kombinosh ngjyrat dhe të krijosh me penel forma të bukura dhe origjinale”,- thotë Geraldina. Ndërsa kur i pyetëm këto manikyriste për rreziqet e këtij trajtimi, ato u shprehën se ai është minimal, pasi përpara se të aplikohet xheli, thonjtë lyhen me një lëndë të quajtur praimeri, i cili është një solucion antimyk që mbron thoin nga rreziqet e të qenit i izoluar.
Këshilla të nevojshme kur shkoni te manikyristja
Mjekja dermatologe Brunilda Bardhi jep disa rekomandime për femrat që preferojnë shumë trajtimin e thonjve dhe paraqitjes së tyre fizike. Ajo i këshillon femrat, që në qoftë se thonjtë apo indet rreth tyre janë të dëmtuara të mos bëjnë manikyr dhe të mos përdorin kimikate të tjera tek thonjtë. Në rast se ato vendosin t’i bëjnë thonjtë me xhel duhet të tregohen të vëmendshme që duart t’i kenë në higjienë maksimale dhe të kërkojnë nga punonjësja e sallonit të sterilizojë mjetet e punës.
Gjithashtu, para vendosjes së dorës në furrat me dritë UV të vendoset krem me faktor mbrojtës në lëkurën përreth thonjve. Sipas mjekes, tundimit për të qenë e bukur nuk i shpëton asnjë femër. Sipas saj, është e lejueshme që thonjtë të bëhen më xhel 3 deri në 4 herë në vit, në mënyrë që ata të kenë kohë të rigjenerohen. Në rast se, shihni ndonjë shenjë në thonjtë tuaj apo në lëkurën përreth të mos i trajtojnë me asnjë lloj manikyri dhe të drejtohen pranë një mjeku dermatolog në mënyrë që problemet të kapen shpejt dhe të trajtohen në mënyrën e duhur.